Detaje tronditës kanë dalë nga vrasja e 34-vjeçarit Ryshyt Sallahu në Has mesditën e sotme. Autori i krimit Ylber Jaku, prej vitesh jetonte në Angli ndërsa ishte kthyer ditën e sotme, enkas për të ekzekutuar 34-vjeçarin.

Vrasja sot u regjistrua pas një konflikti të ndodhur ditën e djeshme mes motrës së viktimës, shtetases A.S., 21 -vjeçe dhe prindërve të autorit, A. J., 65 vjeç dhe V. J., 60 vjeçe
Motra e viktimës u konfliktua fizikisht duke goditur me lopatë nënën e autorit si dhe lëndoi babain. Të dy u dërguan në spital për mjekim, babai ka dalë nga spitali, ndërsa e moshuara vazhdon të trajtohet.
Pas këtij konflikti, 41-vjeçari u nis nga Anglia drejt fshatit Pla, ku u fsheh në makinë për disa orë derisa e zuri viktimën në pritë afër banesës dhe e qëlloi me pushkë. Autori i vrasjes u arrestua pak minuta pas krimit, ndërsa në polici është shoqëruar edhe motra e viktimës, e reja 21 vjeçare.
Konflikti, pohojnë banorët, ka zgjatur prej 20 vitesh, për shkak të pretendimit të pronësisë së një rruge.
“Në vijim të informacionit të dhënë dje, për një konflikt për motive pronësie në fshatin Pla, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has arrestuan në flagrancë shtetasen: A. S., 21 vjeçe, banuese në fshatin Pla, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se gjatë konfliktit për motive pronësie, kjo shtetase ka goditur me mjete të forta, shtetasit A. J., 65 vjeç dhe V. J., 60 vjeçe (bashkëshortë). Shtetasi A. J. mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shtetasja V. J. vijon të jetë në kujdesin e mjekëve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”, shkruhet në njoftimin e policisë të një dite më parë.