Policia e Pogradecit ka arritur të identifikojë dhe shpallë në kërkim shoferin i cili përplasi për vdekje mbrëmjen e kësaj të diele një 55-vjeçar.
Përmes një njoftimi zyrtar, blutë bëjnë me dije se arritën të bëjnë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të së riut 29-vjeçar me ininciale D.J.
Kujtojmë se aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 18:45 të kësaj të diele, në fshatin Mëmëlisht, ku 29-vjecari me automjetin që drejtonte, përplasi Ilir Mimin i cili fatkeqësisht si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
Menjëherë pas aksidentit i riu u largua nga vendi i ngjarjes duke lënë të vdekur në mes të rrugës 55-vjeçarin.
Ndërkohë, burime për mediat bëjnë me dije se në vitin 2000, 25 vite më parë, babai i 55-vjeçarit është përplasur për vdekje nga një makinë në të njëjtin vend ku dhe sot humbi jetën Ilir Mimi.
“Përplasi me automjet një 55-vjeçar dhe u largua nga vendi i aksidentit, pas ndjekjes intensive dhe kontrolleve nga Policia, identifikohet dhe shpallet në kërkim drejtuesi i automjetit, shtetasi D. J., 29 vjeç.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor pas kontrolleve intensive të bëra dhe vëzhgimit të kamerave në zonën ku ndodhi aksidenti kanë bërë të mundur identifikimin e automjetit dhe drejtuesit të tij, i cili u largua nga vendi i aksidentit. Rreth orës 18:45, në fshatin Mëmëlisht, ky shtetas, me automjetin që drejtonte, përplasi shtetasin I. M., 55 vjeç, këmbësor, i cila si pasojë e plagëve të marra, ndërroi jetë. Vijon puna për kapjen e 29-vjeçarit. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi Policia më herët.