Një lajm i hidhur vjen nga Durrësi ku mjeku i njohur, ortopedi Niko Durri është ndarë nga jeta në moshën 54-vjeçare.
Dr. Niko ishte një figurë e rëndësishme e shërbimit të Ortopedisë-Traumatologjisë në Spitalin Rajonal të Durrësit prej vitesh, ndërsa ka ndëruar jetë në mënyrë të papritur.
Lajmin e hidhur e ka bërë me dije Urdhri i Mjekut Durrës, ku i shpreh ngushëllimet familjarëve dhe kolegëve.
Postimi i plotë:
Me dhimbje të thellë mësuam lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Doktor Niko Durri, në moshën 54 vjeçare.
Një humbje e parakohshme për familjen dhe bluzat e bardha.
Dr. Niko, një figurë e rëndësishme e shërbimit të Ortopedisë-Traumatologjisë në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe një shembull i përkushtimit të palodhur ne shërbim të pacientëve, sot nuk është më mes nesh.
Dr. Niko Durri, u lind në vitin 1971 ne Tiranë.
Përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranes ne vitin 1997 si Mjek i Përgjithshëm, duke e përfunduar me rezultate të shkëlqyera.
Më pas kreu specializimin për Ortopedi -Traumatologji ne Universitetin e Mjekesise”Carol Davilla”, në Bukuresht të Rumanisë.
Pas specializimit punoi për një periudhë një vjeçare si mjek ortoped-traumatolog në spitalin e Beratit deri në vitin 2005 dhe më pas në spitalin e Lushnjes për një vit tjetër deri në vitin 2006.
Me pas emërohet në Spitalin e Durrësit si mjek ortoped-traumatolog, ku vazhdonte të ushtronte profesionin.
Doktor Niko Durri gjatë gjithë karrierës së tij tregoi profesionalizëm, kulturë, korrektësi, qytetari dhe vlera e virtyte humane që konfiguruan tek secili mjekun e besuar dhe shumë të dashur për çdo pacient.
Përgjatë gjithë jetës profesionale, doktori me bluzën e bardhë dhe zemrën gjithashtu u bë pjesë jo vetëm e mjekëve profesionistë të qytetit tonë, por edhe e shumë viteve të mbushura me punë e sakrifica të panumërta.
Duke u shprehur ngushëllimet e përzemërta familjarëve dhe kolegëve, urojmë që shpirti i tij të prehet në paqe!
I paharruar qoftë kujtimi i tij!