Celibashi jep njoftimin e rëndësishëm për votat e Diasporës!

Komisioneri Ilirjan Celibashi u shpreh se beson se brenda kësaj jave do të kemi një rezultat total të zgjedhjeve. Shkak për zgjatjen duket se është vota e diasporës, pasi procesi i numërimit të tyre po merr më shumë kohë.

“Ligjërisht është një rezultat, besoj brenda kësaj jave do ta kemi, për ta përfunduar brenda kësaj jave. Varet shumë nga mënyra si partitë politike që kanë, veçanërisht PS dhe PD që kanë të angazhuar njerëz, do të organizohen dhe do të angazhojnë njerëzit në këtë proces”, tha Celibashi.

Ai u shpreh se arsyeja pse po zgjatet numërimi i votës së diasporës është ngarkesa e madhe e përpunimit të dokumentacionit, debatet që u bënë për votat e Greqisë dhe mos-eksperienca.

 

“Qartazi është duke marrë shumë kohë procesi i numërimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të votuesve nga jashtë. Kjo për shkak të ngarkesës së madhe në përpunimin e dokumentacionit përkatës. Dje Humbëm mjaft kohë për shkak të debateve, humbëm gati gjysmën e kohës që kishim në dispozicion për të numëruar dhe vlerësua votat. Procesi eci pak ngadalë edhe për faktin që ishte eksperiencë e re edhe për vetë KQZ”, tha ai.

Njësoj si në numërimet e votave brenda vendit, edhe ato jashtë vendit, po ndikon edhe lodhja e grupeve të numërimit.

“Janë të lodhur, dukshëm. Ka prej tyre që janë 48 orë thuajse non stop. Ndaj meriton të merret në konsideratë thirrja për partitë politike që të ndërtojnë një sistem të ndryshimit. Është e pamundur që 24 orë një njeri të bëjë këtë punë që bëhet si këtu për votat jashtë vendit ashtu dhe votat brenda vendit”, tha Celibashi./tvklan.al

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x