Millena Brandao, e njohur në Brazil për pjesëmarrjen e saj në serialin e njohur të Netflix-it “Sintonia”, ka ndërruar jetë të premten në një spital të Sao Paulos pas disa episodesh arresti kardiak, konfirmoi nëna e saj.

11-vjeçarja përjetoi dhimbje të forta koke të mërkurën dhe u dërgua me urgjencë në spital. Brenda një periudhe dyditore, Millena pësoi gjithsej 12 arreste kardiake, sipas mjekut që e trajtonte.
“Mjekët ende nuk më kanë thënë saktësisht se çfarë i ndodhi vajzës sime dhe çfarë e vrau atë”, tha nëna e saj, Thais Brandao, për rrjetin brazilian të lajmeve G1.
Mediat e huaja shkruajnë se simptomat e para filluan më 24 prill, me aktoren e re që ankohej për dhimbje koke, dhimbje këmbësh, përgjumje, humbje të oreksit dhe episode të të fikëtit. Gjatë kësaj kohe, ajo vizitoi një qendër urgjence dhe dy spitale shtetërore në Sao Paulo. Fillimisht, mjekët dyshuan se ishte një infeksion nga ethet e dengues, por testet e mëvonshme zbuluan praninë e një tumori në tru.
11-vjeçarja humbi jetën nëntë ditë pasi u shfaqën simptomat e para të rënda. Lajmi ka tronditur skenën artistike braziliane, ku aktorja e re gëzonte dashurinë e të gjithëve.
Thais Brandao shkroi në rrjetet sociale për vdekjen e vajzës së saj:
“Në orën 02:05 humbëm vajzën tonë të vogël, por jam e sigurt se ajo është në krahët e Atit tonë të Plotfuqishëm dhe në një vend të mrekullueshëm për të luajtur. Kujtimet që ndamë së bashku do të mbeten përgjithmonë në kujtesën time dhe nuk do ta harroj kurrë gëzimin tënd, i cili solli dritë për të gjithë përreth teje. Vajza ime e vogël, mungesa jote tashmë po më rëndon dhe e di që do të më mungosh edhe më shumë në ditët që do të vijnë. Ti ishe një dritë në jetën tonë dhe e di që nga atje lart do të vazhdosh të na mbikëqyrësh dhe të ndriçosh jetën tonë. Do të të dua përjetësisht dhe ti do të jetosh përgjithmonë në zemrën time”.