Kryeministri Edi Rama ka falenderuar sot nga Sheshi “Skënderbej” të gjithë shqiptarët të cilët i dhanë atij mandatin e katërt qeverisës të dielën e 11 Majit.

Kreu i qeverisë, Edi Rama, falenderoi në veçanti familjarët e tij për të cilët tha se nuk e kanë lënë vetëm në asnjë moment, duke i pasur si mbështetje të vazhdueshme.
Edi Rama foli për nënën e tij duke thënë se është hera e dytë që ka fituar pa praninë e saj, ndërsa theksoi se së bashku me të atin, janë krenarë dhe duke e ndjekur nga lart.
Për bashkëshorten e tij, Linda Rama, kreu i qeverisë tha se ajo mban katër këndet, ndërsa falenderime zemre ka shprehur edhe për fëmijët e tij, Gregun, Zahon dhe vajzën e Lindës, Rean.
“Edhe këtë herë njësoj si herën e shkuar, ime më, Aneta, nuk më ndoqi si hije dashurie pa kushte në atë pozicionin e saj legjendar para televizorit si në një llogore lufte deri ditën që iku të ribashkohet me tim atë.
Duke qenë se edhe këtë herë që të dy u tërhoqën jashtë nga varri në fushatën e mosozotshme të të mosozotshmëve, dua t’ju them të ma bëjnë hallall dhe besoj se po na shohin nga lart së bashku dhe janë krenar për mua dhe janë krenar për Shqipërinë që ne të gjithë bashkë po ndërtojmë.
Ndërkohë që unë jam sot përsëri shumë krenar për Rean dhe për Gregun që vazhdojnë të mos na shkaktojnë asnjë dhimbje koke, që jetojnë jetën e tyre larg dritave të skenës, larg zyrave të shtetit, larg çdo marrëdhënieje në konflikt interesi, duke duruar sidomos Rea agresione të rënda verbale nga më të neveritshmet.
Ju falenderoj nga zemra të dyve dhe uroj t’ju bëj krenar me punën time sot dhe inshaallah në gjurmën e punës sime nesër.
Falenderimin më të veçantë e kam për të vetmen opozitë që nuk arrij ta mund dot, por shyqyr që më pranon në qeverinë e unitetit, Linda Ramën, mamanë e Zahos, nënën kryelartë të Reas dhe shoqen besnike të Gregut.
Linda është shtylla që mban katër këndet, shumë faleminderit grua, dhe besoj se mund të flas dhe në emrin tënd, duke e falenderuar Zahon i cili na rri ngjitur si bateri me energji diellore.
Kjo fitore me notën 10 që e kisha ndjerë dhe paralajmëruar mund të jetë e pabesueshme për ata që as se kanë kuptuar që Shqipëria sot është një Shqipëri krejt tjetër nga dje dhe as nuk duan ta kuptojnë që ky popull nuk ka për ta ndryshuar kurrësesi qeverinë që ka, pa ndryshuar më parë opozitën që s’do.”-tha Rama.