Një ngjarje e rëndë dhe e dhimbshme ka tronditur mëngjesin e kësaj të marte qytetin e Prizrenit.

Një 44-vjeçar, shtetas turk me banim të përkohshëm në Kosovë, ka sulmuar me thikë dy vajzat e tij të mitura, duke vrarë njërën dhe plagosur rëndë tjetrën.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ndodhi rreth orës 05:57 në rrugën “Shote Galica”. Në vendin e krimit mbërritën me urgjencë katër patrulla policore, pasi raportimet fillestare tregonin për një situatë të rrezikshme ku personeli mjekësor nuk mund të ndërhynte për shkak të pranisë së autorit me thikë në dorë.
Fatkeqësisht, 15-vjeçarja humbi jetën nga plagët e marra, ndërsa motra e saj 11-vjeçare u dërgua me urgjencë në QKUK në Prishtinë dhe ndodhet në gjendje kritike.
Edhe bashkëshortja e autorit ka marrë lëndime, ndërkohë që pas krimit, i dyshuari ka tentuar të vetëlëndohet dhe është nën kujdes mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
I dyshuari, i identifikuar si M.G., është arrestuar dhe ndodhet nën mbikëqyrje policore. Hetimet për këtë tragjedi familjare vazhdojnë intensivisht, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje në vijim.